Malta, një dremitje në ‘tokën e mjaltit’…

Written by on 14/03/2019

Malta, një dremitje në ‘tokën e mjaltit’…

Diell, det, monumente, ushqim, Malta ka gjithçka për të ofruar ashtu si fqinjët e saj më të famshëm mesdhetar, por me një ndryshim të vogël… aty cdo gjë është aq e lehtë, ‘e marrë shtruar’ vetëm falë mikëpritjes së jashtëzakonshme të maltezëve! Jo me kot grekët e lashtë e quajtën Maltën si “toka e mjaltit” ose Melita, dhe sot maltezët e mbrojnë me fanatizëm prejardhjen e emrit të tyre. Për të pasionuarit pas detit, Malta është një destinacion që nuk duhet humbur. Jo vetëm që është me kosto të ulët dhe gjendet shumë pranë Italisë por ajo ofron dhe plazhe të jashtëzakonshme, si me gurë dhe me rërë dhe përbën një trashëgimi të famshme kulturore që ndërthuret me jetën dhe argëtimin e natës që animojnë ishullin, sidomos në verë. Ku tjetër mund të konsumoni kuzhinë italiane me një xhep jo aq të ‘majmë’, ndaj jo më kot Malta njihet si ‘makineria më e madhe e gastronomisë mesdhetare’!

Pak njerëz e kuptojnë apo e presin që në një grup të vogël ishujsh të gjejnë tradita të lakmueshme. E gjendur në udhëkryqet e civilizimeve të mëdha, midis Evropës dhe Afrikës së Veriut, Malta pasqyron ngritjet më të mëdha të ketij qytetërimi mesdhetar. Kudo që ju shkelni në Maltë,do të shihni kisha.

Aty ka më shumë se 300 të tilla. Në Gozo,ishullin fqinj që gjendet vetëm një 25-minuta udhëtim me traget nga Malta janë afro 50 kisha. Por si kanë mundur të mbijetojnë të gjitha këto? Përgjigja është thjeshtë: vetë banorët shkojnë cdo të dielë vullnetarisht duke kontribuar në mirëmbajtjen e tyre, një ‘traditë’ që vazhdon edhe sot ! Me një histori 7 mijë vjecare, Malta konservon një trashëgimi të madhe kulturore. Gjurmë të fenikasve, kartagjenasve, romakëve apo bizantinëve jane gjetur në ishull. Më vonë akoma francezët dhe britanikët diktuan zhvillimin ekonomik dhe politik të ishullit. Tipike për stilin e jetës së Mesdheut, maltezët e shijojnë dhe e gëzojnë atë sa më shumë të munden. Plazhet e shumta në Maltë janë sigurisht një vend i duhur për të simbolizuar relaksin në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Cfarë nuk duhet humbur: Comino është një parajsë pa makina dhe me vetëm një hotel, ku do të ktheheni prapa në kohë dhe do të humbni në ujin kristal. Ndërsa Gozo ndryshon nga Malta si për morfologjinë e territorit të saj ashtu dhe për pjesën urbanistike, është thjeshtë magjepsës. Përmban gjiret dhe limanet shkëmbore, që dhurojnë peisazhe spektakolare, bare që hapen herët në mengjes dhe mbyllen vonë në darkë dhe fermat që mund t’i merrni me qera për pushime jashte normales… 😉 Por le të kthehemi në Maltë, sepse për të shkuar në detin e ishullit duhet të njihni plazhet më të rëndësishme, që janë Paradise Beach, pranë South Comino Channel, më I famshmi për të rinjtë dhe për perëndimet dhe festat e pafundme. Plazhi Ghadira është ideal për familjet me fëmijë, ndërsa Peter’s Pool, eshtë në fakt një pishinë natyrale me ujë kristal që rrethohet nga shkëmbinj të mprehtë.

Golden Bay është perfekt për të pasionuarit pas sporteve me vela, edhe pse gjithnje me erë, është një ndër plazhet më mondanë të ishullit. E nëqoftëse doni sërf në dallgë spektakolare zgjedhja do të ishte Armier Bay, një plazh i paprekur dhe i egër që frekuentohet shumë dhe për piknik. Këtu mund të kaloni netët në një prej restoranteve të shumtë, bareve apo clubeve në të cilët si në asnjë vend tjetër kaq të frekuentuar nga turistët, hyrja është gjithmonë falas. Jeta e natës është mjaft aktive, ndonëse kalendari më dritherues përkon me periudha të vecanta të vitit, gjithmonë do të gjeni hapur restorante apo clube vere të rafinuara.  

Malta me clubet e veta është shndërruar në një pikë ndalese gjatë fundjavave për performimin e DJ-ve më në zë në botë. Trofeun e ‘kryeqytetit të jetës së natës ’ në Maltë e mban Paceville në bregun pranë gjirit Shën Xhulian. Në këtë plazh është përqëndrimi më i madh i hoteleve, restoranteve, bareve dhe klubeve të natës. Në këtë zonë gjendet dhe qendra tregtare “Bay Street”, cilësore me dyqane, restorante, kafene dhe klube nate si Fuego (ku më së shumti kërcehet salsa).Po nuk mbaron me kaq! Edhe muzika klasike është shumë popullore në ishujt maltezë. Recitalet me organo zhvillohen rregullisht në kishat baroke.

Ndërsa koncertet orkestrale apo operat zhvillohen nën një atmosferë mjaft të vecantë pranë rrënojave historike. Midis pamjeve të cilat nuk mund t’i lini pa shijuar janë peizazhet marramendëse sipër detit dhe shkëmbinjve në Wied iz Zurrieq, të cilat të drejtojnë për tek shpella, një katedrale prej guri, arkitekti i së cilës është vetë natyra. Ujërat që rrjedhin në brendësi të Shpellës së Kalipsos e zbukurojnë akoma më shumë këtë kryevepër natyrore. Sipas mitologjise greke, Kalipso, vajza e Atlasit, jetoi pikërisht në ishullin e Maltës.( Ajo magjepsi Odisene ne ishull për 7 vjet). E përbërë nga 7 ishuj, Malta mbetet një destinacion turistik mjaft i kërkuar per vetë klimën, argëtimin dhe gjurmët interesante të lena nga një histori mijëravjecare. Arkipelagu Maltez gjendet në një largësi prej 93 km nga Sicilia dhe 228 km nga Afrika Veriore. Tre ishujt kryesorë të arkipelagut janë Malta, Gozo dhe Komino, me një popullsi prej 400 mijë banorësh, të shpërndarë në një siperfaqe prej 316 kilometrash katrorë dhe në një vijë bregdetare, që në total, shkon në rreth 200 kilometra gjatësi. Malta (një tokë e vogël e një populli të guximshëm) përfaqëson një të kaluar të pasur të Evropës. Këshilla jonë, kur ju të gjendeni në Maltë është e thjeshtë: injoroni hartën dhe ndiqni instinktet tuaja.

 

 


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist