Rritet numri i vizitorëve në kalanë e Kaninës

Written by on 28/02/2019

Kalaja e Kaninës, një destinacion historik dhe turistik, 6 km larg Vlorës vazhdon të mbetet një atraksion tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Pavarësisht temperaturave të ulëta të muajit shkurt kalaja e Kaninës u vizitua nga shumë grupe të organizuara vizitorësh dhe vizitorë individualë.

Numri i turistëve në Kaninë po rritet përherë e më shumë kjo edhe falë infrastrukturës së re rrugore që lidh kalanë e Kaninës me qytetin e Vlorës e cila ka bërë që kjo kala të jetë vetëm 5 minuta larg qytetit me automjet.

Ky fluks turistik drejt këtij objekti antik sjell dhe një vlerë të shtuar në ekonominë e zonës.

Kalaja e Kaninës, është përmendur që në shekullin IV. Por, aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëparshme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke.

Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.

Kjo kala veç vlerave historike ka sot dhe vlera turistike. Vizitorë të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës.

 

credit: ata.gov.al


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist