Përmirësim rrugëve në zonat me potencial turistik
Written by rt on 06/06/2019
Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e lotit të parë në aksin i cili lidh Çorovodën me qytetin e Përmetit. Rruga, një investim i Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka tashmë të gjitha parametrat e nevojshëm duke ofruar më tepër siguri për të gjithë përdoruesit e saj. Ky aks ju vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të këtyre qendrave, por edhe turistëve të shumtë të cilët i vizitojnë ato. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ecurinë e punimeve të cilat kanë përfunduar para afatit të parashikuar, pavarësisht problematikave të hasura si pasojë e kushteve gjeologjike por që morën zgjidhje në Këshillin Teknik të ARRSH-së. Krahas rrugës, në një prej pikave të saj është bërë e mundur edhe ndërtimi i një “belvedere” duke ju dhënë mundësi të gjithë vizitorëve ndaluar dhe parë një pjesë të pejsazhit që ofron kjo zonë.