Nordikët zgjedhin Shqipërinë për të hapur sezonin turistik
Written by rt on 03/05/2019
“Apollo”, agjencia më e madhe turistike nordike, zgjodhi Shqipërinë për të çelur sezonin e saj veror. Aktiviteti rajonal, që një vit më parë u organizua në Greqi, këtë vit u zhvillua në vendin tonë, nisur edhe nga fakti që vjet për herë të parë, u siguruan kontrata për të sjellë në Shqipëri turistët e parë nordikë, që zgjodhën t’i kalonin pushimet e tyre, përgjatë bregdetit të Durrësit dhe Kavajës. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili u shpreh optimist për turistët që pritet të vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij viti turistik, që sipas tij do të jetë edhe më i suksesshëm se ai 2018. Apollo është prezente në Shqipëri, prej 4 vitesh, promotore e rëndësishme e Shqipërisë si destinacion turistik jo vetëm rajonal, por edhe europian.