Dubai, plane për të lejuar plazhin edhe gjatë natës!
Written by Radio Travel on 09/05/2023
Bashkia e Dubait së shpejti do të lejojë notin gjatë natës në një numër të caktuar plazhesh. Një hap i tillë është zbuluar së fundmi në Arabian Travel Market, eventin e rendësishëm të turizmit që shënon sot edhe ditën e fundit të tij.
Rritja e jashtëzakonshme e vizitave ndërkombëtare në Dubai, me 4.67 milionë të tilla deri në mars tregon qytetin si një nga destinacionet kryesore, duke udhëhequr rrugën në rimëkëmbjen e sektorit global të turizmit.
Por turistët ankoheshin se nuk mund ta frekuentonin plazhin pas perëndimit të diellit, pasi diçka e tillë nuk lejohet nga vendi. Për këtë arsye, Dubai si një qytet i gjallë 24 orë në 7 ditë të javës, po mendon ta ndryshojë këtë rregull, të paktën në disa plazhe të caktuara.
Si pjesë e kësaj fushate të re, sisteme të reja ndriçimi janë instaluar në plazhe të zgjedhura në Umm Suqeim dhe Jumeirah. Ka gjithashtu ekrane LED me udhëzime se çfarë duhet të bëjnë turistët. Siç mësohet këto ekrane tashmë janë instaluar dhe do të fillojnë të funksionojnë së shpejti.
Përveç dritave dhe ekraneve, do të ketë edhe roje shpëtimi që do të kujdesen për sigurinë e çdo turisti që shijon plazhet e Dubait gjatë natës./radiotravel.al