DJ shqiptarë gjithçka që Tirana të futet në hartën e muzikës dance!
Written by rt on 23/03/2019
DJ shqiptarë po punojnë fort për ta futur Tiranën në hartën e përbotshme të muzikës dance, shkruan mixmag.net.
”Mixmag” është një revistë e njohur britanike që i kushtohet muzikës elektronike dance dhe atyre të lokaleve. Ajo mbulon ngjarjet më të rëndësishme muzikore të botës.
Më poshtë vijon shkrimi i plotë:
Kiki La Rochelle, Rubin Beqo dhe Teelco janë ndër DJ-të që po përpiqen të promovojnë këtë lloj muzike në kryeqytetin shqiptar.
Kristi Gega ndodhet jashtë “Prodjschool Metronom”, një akademi muzikore e specializuar në prodhimin e muzikës elektronike dhe në miksimin e saj. Kjo është ndër shkollat e para për DJ në Tiranë dhe Kristi, e cila mikson muzikë nën emrin Kiki La Rochelle, është pronarja dhe menaxherja.
Revistat e udhëtimeve e cilësojnë Tiranën si ”Berlini i ri”.
Arkitektura e epokës komuniste i jep qytetit një ndjenjë të ashpër dhe energjike. Arti i rrugës mbulon çdo hapësirë të mundshme, ndërsa të premteve dhe të shtunave në mbrëmje, muzika e mbrëmjeve party dëgjohet në të gjithë qytetin.
Por, muzika tekno ka hyrë pak e nga pak në Tiranë dhe kjo duke u bërë pjesë e festivaleve të ndryshme, line-up-eve të fundjavës në kryeqytet, me anë të krijimeve apo hiteve ndërkombëtare dhe performancave live në bashkëpunim me DJ komercialë. Për disa DJ vendas, suksesi është i mundur vetëm nëse i zhvillojnë karrierat e tyre jashtë Shqipërisë. Kristi bën pjesë në një grup në rritje artistësh, muzikantësh, dhe DJ të cilët po luftojnë për ta sjellë muzikën elektronike në vendin e tyre.
Ti mund të shkosh me autobuz nga ”Metronom”-i në ”Peper Bar”, që ndodhet në zonën më trendi të Tiranës që quhet Blloku, absolutisht vendi i duhur për ata që kërkojnë muzikë elektronike në qytet. ”Pepper Bar” shërben kryesisht si restorant, por aty mund të gjesh një përzierje të çuditshme njerëzish; në brendësi gjen njerëz të veshur mire duke konsumuar antipasta që shërbehen nga djem me këmisha të bardha e të hekurosura. Ndërsa jashtë një grup i vogël i veshur me të bluza zeza, pinë cigare zbrazin gotat e birrës, ndërsa presin që DJ-i të fillojë.
Ky kontrast vihet re në të gjithë Bllokun. Më përpara një zonë ku jetonin vetëm krerët e Partisë Komuniste Shqiptare, tashmë lagjja ka ndryshuar faqe, nga suvatë komuniste ngjyrë gri dhe kafe në dita neoni dhe ngjyra të ndezura. Ndërtimi i shpejtë i restoranteve dhe kafeve në vitet 90-të tërhoqi një grup njerëzish përgjithësisht të pasur të blinin shtëpi në këtë zonë. Shpejt, jeta e kësaj lagjeje u bë ajo e rinisë së qytetit dhe numrit të madh të studentëve që ka Tirana, pa kaluar shumë kohë, atmosfera e Bllokut ishte e parezistueshme. Lokale luksoze si ”Pepper Bar” nisën të presin turma gjithmonë në rritje, duke e transformuar lagjen nga një vend plot me restorante në një qendër për jetën e natës. Në ditët e sotme darkat borgjeze zhvillohen ngjitur me party-t e studentëve e ndonjëherë edhe në të njëjtën ndërtesë.
Pavarësisht këtij zhvillimi, pasojat e regjimit komunist të Hoxhës në Shqipëri vazhdojnë. Të privuar pothuajse tërësisht nga udhëtimet jashtë shtetit, vendasit gjithashtu ishin të vetëdijshëm edhe për kufijtë artistikë; Festivali i Këngës në vitin 1972 përfundoi me deklaratën se organizatorët ishin “armiq të popullit” duke sjellë kështu pa të drejtë ndikimin lindor në vend. Disa pjesëmarrës u pushuan nga puna, u arrestuan, madje në disa raste, u vranë.
”Çdo material muzikor filtrohej rreptësisht nga institucionet kontrolluese”, shpjegon Rubin Beqo.
Beqo është një nga bashkëpronarët e dyqanit të regjistrimeve muzikore ”Tulla Cultural Center”,në Tiranë.
“Ne nuk kishim regjistrime muzikore, kështu që pas komunizmit, kishim shumë pak ku të mbështeteshim. Si pasojë e kësaj, prindërit tanë nuk na zhvilluan një marrëdhënie të afërt me muzikën… unë e kam parë gjithmonë këtë si patologjike në zhvillimin tonë në skenat vendase, faktin që nuk kemi pasur marrëdhënie me muzikën”, shton ai.
Pas rënies së komunizmit në vitin 1991, Shqipëria me vështirësi u mundua të ruante regjistrimet e pakta që kishte. Ndërkohë që qytetarët kishin akses në muzikën e huaj, vendi u përball me problem të tjera; papunësia u rrit jashtë mase, pagat u ulën shumë, infrastruktura u rrënua, dhe këto ngjarje kulmuan me rrëzimin e qeverisë shqiptare në vitin 1997 për shkak të përhapjes së madhe të korrupsionit dhe investimeve në firmat piramidale.
Që prej asaj kohe vendi ka pasur ulje dhe ngritje. Ekonomia është në rritje pasi ardhja e parave nga jashtë prej emigrantëve të shumtë që kthehen në atdhe ka bërë një ndryshim të dukshëm në kryeqytetin e vendit. Dhe këtu DJ- dhe prodhuesit e muzikës shohin një mundësi.
Pasi ekzistojnë vetëm disa lokale të dedikuara muzikës elektronike dhe asaj tekno momentalisht në Tiranë, ata DJ që duan të luajnë muzikë jokomerciale duhet të improvizojnë. Projekti më i fundit i Beqos do të zhvillohet në një parking nëntokësor të përshtatur, të titulluar ”Minus One”. Party-t e rrugës zakonisht zhvillohen në zonat e bllokuara të Tiranës gjatë pranverës dhe verës. Pazari i Ri i qytetit që është rindërtuar së fundmi ka mirëpritur disa prej këtyre party-ve, duke e mbushur sheshin kryesor që zakonisht përdoret nga tregtarët me të rinj të veshur me të zeza që festojnë gjatë gjithë natës.
Kristi e takoi Teelco-n, një tjetër DJ dhe producent në Tiranë, ndërkohë që bënte muzikë për një prej këtyre eventeve. “ Ju drejtova Teelco-s që në momentin e pare që e pashë dhe i thashë, ‘ku ishe më përpara?’ Ai luante muzikë totalisht të ndryshme nga ajo që po luhej në Shqipëri në atë kohë…isha shumë e entuziazmuar dhe ai tha “kush është kjo vajzë?” që prej asaj kohe Teeclo ju bashkua skuadrës së Metronom.
“Këtu tek ne, kushdo që ka një laptop thotë se është DJ”, thotë ai. “Qëllimi ynë është që të jemi sa më profesionistë, që ata ta dinë se çfarë do të thotë të jesh DJ”.
Një pjesë e madhe e këtij edukimi bëhet për të ndërgjegjësuar mbi përdorimin e vinileve.
“I vetmi imazh që ne kishim ishte ai i gramafonëve para Luftës së Dytë Botërore, dhe kështu e lidhnim imazhin e tyre me aristokracinë”, thotë Beqo.
”Tulla Cultural Center” po mundohet ta luftojë këtë imazh duke importuar nga jashtë vinilet më të njohura dhe duke bashkëpunuar me dyqanet vendase për ti shitur me çmim të ulët. Tashmë ekziston edhe një ditë e cila i dedikohet çdo vit dyqaneve me regjistrime muzikore dhe zhvillohet në Tiranë. “Gjëra të tilla duhet të ndodhin në mënyrë të zakonshme tek ne. Është si një forum që fton artistët e huaj…dhe i bën ata të flasin për Shqipërinë. Në fund të fundit kjo është ajo që artistët bëjnë kur takohen me artistë të tjerë dhe promovues të tjerë, kur postojnë në rrjetet sociale.”
Fjala po përhapet për Shqipërinë.
Vitin e kaluar në vend u zhvillua festivali i ri ”Kala”, në bregdetin jugor të vendit, Dhërmi. Pavarësisht vendndodhjes së veçantë- pasi për të shkuar në Dhërmi duhet të bësh një fluturim për në Korfuz e më pas katër orë udhëtim me traget dhe autobus- festivali pati sukses, me pjesëmarrjen e Moodymann, Todd Terje, si edhe pjesëtarëve të grupit Stamp The Wax. Festivali i ardhshëm në Shëngjin premton për një lineup akoma dhe më interesant: Ricardo Villalobos, Luciano, Joseph Capriati, dhe shumë të tjerë që priten të publikohen.
Shumica e netëve në Tiranë përfundojnë tek ”Discobox”, një lokal nate shumë afër ”Pepper Bar”. ”Discobox” është tërësisht i frymëzuar nga lokalet e kryeqyteteve europiane – ai është i nënvlerësuar, pasi fshihet pas një porte i strukur poshtë Universitetit të Arteve. Në brendësi dekorimi është minimal: efekte ndriçimi, ca ekrane pas tavolinës së DJ-it, dhe shenja dalluese e tij, një top diskoje.
Lokali është bosh në orën 01:00, por nga ora 03:00, turma nga ”Pepper Bar” është zhvendosur e gjitha, madje duke marrë dhe të tjerë rrugës. Kërcimtarët e fillojnë aty ku e kishin lënë dhe shpejt vendi mbushet plot duke kërcyar nga muzika e DJ-ve ballkanas.
Edhe pse të qenit një DJ që punon nëntokë në Tiranë ka vështirësitë e veta, Teeclo, kur shikon turmat në ”Discobox” frymëzohet.
“E vetmja gjë që ka me të vërtetë rëndësi është pasioni për muzikën, dhe transmetimi i tij tek të tjerët. Nuk është fakti i të qenit një DJ ndërkombëtar, apo për të bërë emër për Shqipërinë jashtë vendit … Unë dua që njerëzit të thonë ‘Më pëlqen ky tipi. Më pëlqen se si luan muzikë”.
Një tjetër DJ vendas Anascole, ndan të njëjtin mendim: “Ka mjaft arsye për t’u stresuar shpesh herë… por skena e muzikës është duke u rritur. Ajo që ka më shumë rëndësi është dashuria për muzikën”.