“Qyteti i trëndafilave”, destinacioni i 10 mijë turistëve në tre muaj

Written by on 15/04/2019

“Qyteti i trëndafilave”, Përmeti, në juglindje të Shqipërisë gjithnjë e më shumë po tërheq turistët e huaj me bukuritë e natyrës dhe monumentet e shumta kulturore që shtrihen në territorin e tij.

I njohur si qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, i luleve, i këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës, por veçanërisht i glikove unikale, vetëm nga janari deri në fillim të prillit të këtij viti është vizituar nga rreth 10 mijë turistë vendas, por edhe të huaj.

Nënkryetari i bashkisë së Përmetit, Llazar Thanasi tha për ATSH-në se, “deri tani llogariten rreth 10 mijë mijë turistë vendas e të huaj, si gjermanë, holandezë, italianë, por nuk mungojnë edhe ata izraelitë, francezë, austriakë, polakë, çekë”.

“Sipas këtij trendi këtë vit Përmeti do të jetë një destinacion tepër i rëndësishëm i ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor”, tha Thanasi.

Aktualisht, shton ai, në fundjavë nuk gjendet kollaj vend në hotelet e zonës. “Por vlen të përmendet se gjatë këtij viti turizmi familjar po merr përparësi me disa guesthouse që po shtohen për të pritur turistët vendas e ata të huaj”, theksoi Thanasi.

I vendosur në anën e majtë të rrjedhës së sipërme të Vjosës, qyteti shtrihet thuajse tërësisht nën kodrën e Bolëngës dhe rrëzë malit të Dhembelit. Kur mbërrin në Përmet, përballesh me një qytet të vogël për nga shtrirja gjeografike, por të madh nga vlerat e shumta historike, kulturore e natyrore të tij.

Bashkia e Përmetit i ka dhënë një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës së këtij qyteti, ku bashkë me investimet e qeverisë ai tashmë po kthehet në destinacionin e turistëve në çdo stinë.

“Ky bum turistësh është dhe falë promocionit që bën bashkia, e cila e ka prioritetet kryesor këtë sektor të zhvillimit ekonomik”, tha Thanasi.

Buzë lumit në hyrje të qytetit, qëndron një shkëmb i madh i shkëputur nga mali. “Guri i qytetit”, siç njihet nga vendasit, është kthyer në një pikë referimi për Përmetin nga ku mund të sodisësh rrugët, ndërtesat, shtëpitë karakteristike, kishat, xhamitë deri te saksitë e luleve në parvazet e dritareve.

Një tjetër simbol i ri turistik në Përmet është edhe një ballkon i vendosur në shëtitoren kryesore afër “Gurit të qytetit”, ku vizitorët vendas apo të huaj mund të shijojnë pamjet fantastike dhe natyrën e mrekullueshme të këtij qyteti, buzë lumit Vjosë.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Çdo vaskë, me temperatura që shkojnë nga 25°C – 28°C, është e përdorshme për trajtimin e një problemi specifik në bazë të cilësive kurative të burimit që rrjedh: reumatizëm, sëmundje dermatologjike, akne, osteoporozë, gastrit, etj.

Qyteti i Përmetit është i pastër, i ndërtuar mirë, i vendosur vërtet shumë bukur buzë Vjosës së kaltër, e cila rrjedh vrullshëm nëpër një hon që e ka çarë ndër shekuj.

Në majë të malit duken rrënojat e një manastiri, vendbanim i ndonjë shenjtori të degdisur, kurse rrëzë tij rrjedh një burim me ujë të kristaltë.

Në kodrën aty më lart ngrihen gërmadhat e një kalaje të kohës së Ali Pashës.
Këto janë pak gjëra që mund t’i gjesh në qytet, por jashtë tij gjendet Frashëri me 28 fshatra përreth, teqeja e famshme të Bektashinjve, mund të vizitoni Parkun Kombëtar të Hotovës, Kishën e Leusës e plot mundësi të tjera.

Brenda Qendrës Historike ndodhen shumë ndërtesa të vjetra të qytetit, si dhe ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776 dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë dhe Kisha e Shën Kollit e shekullit të 19-të. Gjurma e rrugës dhe rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit të 19-të.

Përmeti është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing, të gjitha këto aktivitete të një familjeje aktive.

Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmit.

Tradita e gatimeve të njohura përmetare, sikundër ajo e prodhimit të reçelrave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë e ekonomisë dhe punësimit familjar.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë ikonostaset e mrekullueshme të kishës së Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister.


Reader's opinions

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Current track

Title

Artist